1-      Lura është një krahinë turistike ku ndërthuren dukshëm bukuritë e liqeneve, malet e larta dhe livadhet e mëdha të mbushura me një shumëllojshmëri lulesh. Lura ofron kushte ideale për piknike e ngjitje sportive, ku mund të soditësh panorama mahnitëse që të ofron ky vend i mrekullueshëm dhe që e bën tepër interesant udhëtimin, pushimin dhe aktivitetet e tjera.

Është zonë e pasur dhe me vlera unikale natyrore. Pozita e veçantë gjeografike që zë krahina me bukuritë e saj dhe mundësinë që jep për të hedhur vështrimin në shumë pjesë të vendit, ia rrisin më shumë rëndësinë turistike kësaj krahine. Gjate periudhës së dimrit Lura përveç pejsazhit natyror të mrekullueshëm, gjelbërimit të pishave i shtohet dhe bardhësia e dëborës, e cila në faqet e maleve dhe në livadhet e shumtë, krijon kushte të përshtatshme për të apasionuarit e sporteve të skisë. Në të gjithë muajt e vitit, pasuria e kësaj treve ka se ç’të ofrojë për të gjithë. Parku Kombëtar i Lurës me një sipërfaqe prej 1.280 ha, ndodhet në pjesën lindore të malit masiv të quajtur “Kunora e Lurës” ose siç quhet nga banorët e trevës, “Nezhda e Lurës”, 2.121m mbi nivelin e detit.