Është rrënoja antike më e rëndësishme e Durrësit. Ndodhet krejt në qendër të lagjes më të vjetër të Durrësit, i rrethuar nga shtëpitë e banorëve. Është zbuluar nga durrsaku i famshëm Vangjel Toçi më 1966. Ai do t’ju bjerë menjëherë në sy, sapo të depërtoni nga “Rruga Tregtare” në rrugicat që çojnë në lagjen e vjetër, ose që nga porta e madhe pas kullës veneciane.

Amfiteatri i Durrësit është jo vetëm më i madhi në territorin e Shqipërisë së sotme, por në krejt këtë anë të Ballkanit. Është ndërtuar në kohën e perandorit romak Adrian (117 – 138 pas Krishtit). Deri tani është zbuluar vetëm gjysma e sipërfaqes së tij dhe e pjesës nëntokësore, por gërmimet vazhdojnë çdo verë. Amfiteatrin mund ta vizitoni nga e hëna deri të premten, në oraret 08.00 – 16.00. Çmimi i biletës deri në momentin kur është hartuar kjo guidë ka qenë 200 lekë.