Shumë pranë qytetit të Fierit ndodhet Manastiri i Ardenicës. Shpesh referuar si “Kështjella e Myzeqesë” ajo është një objekt kulti i fesë ortodokse, dhe është manastiri i vetëm i banueshëm në Shqipëri. Besohet se fillimet e tij datojnë rreth shekullit të X-të, që afërsisht është periudha kur kisha e Shën Triadhës, godina e parë e Manastirit, u ndërtua. Shumë pranë manastirit kalon degëzimi jugor i rrugës antike Egnatia, që lidhte Romën në Perëndim me Konstandinopojën në Lindje. Besohet se Gjergj Kastriot Skëndërbeu, Heroi Kombëtar Shqipëtar, është martuar në kishën e Shën Triadhës, në Maj 1451. Kisha kryesore e Manastirit, Lindja e Shën Mërisë, u ndërtua në 1743, me fonde të kontribuara nga tregtarët e Voskopojës. Ajo është kisha e vetme funksionale e Manastirit dhe njëkohësisht një ndër kishat më të bukura dhe më mahnitëse në të gjithë Shqipërinë.