1-      Që të shkoni në Butrint duhet të merrni rrugën që ju nxjerr nga jugu i qytetit të Sarandës. Butrinti është rreth 15 kilometra. Përgjatë rrugës do të kaloni një rradhë të gjatë hotelesh dhe pastaj do të hyni në Parkun Kombëtar të Butrinit në një rrip shkëmbor që është i vendosur mes liqenit të Butrintit dhe detit. Qyteti antik është i hapur për turistët prej orës 08.00 të mëngjesit gjatë të gjitha ditëve të javës.

Për informacion:
Rr. “Skënderbeu”, Lgj. 1, te Muzeu Etnografik.
Në fillim të parkut do të hasni një banesë romake që duhet të jetë e shekullit të II-të pas Krishtit dhe më pas një kolonadë për të cilën studiuesit mendojnë se duhet të jetë shumë më e hershme se banesa. Në krah të kolonadës do të shihni monumentin më të rëndësishëm të Butrintit, teatrin antik. Ky është ndërtuar në shekullin e IV para Krishtit dhe sot është në gjendje shumë të mirë. Në skenën e tij luhen gjatë stinës së verës shumë shfaqje. Aktiviteti më i njohur është Festivali Ballkanik i Teatrove që organizohet këtu për çdo vit, në muajin korrik. Në muret e teatrit do të keni mundësi të shihni shumë mbishkrime në latinisht. Kryesisht janë vendime për lirimin e skllevërve. Teatri i Butrintit mban afër 2 mijë spektatorë. Afër teatrit gjenden rrënojat e tempullit të Asklepit, apo Eskulapit, perëndisë antike të Shëndetit. Ka shumë të ngjarë që tempulli të jetë ngritur këtu pikërisht falë një burimi të cilit butrintasit e vjetër i blatonin fuqi magjike shëruese. Shumë statuja dhe dhurata të tjera të gjetura këtu i kanë shtyrë studiuesit të mendojnë se Asklepi ka qenë perëndia mbrojtëse e qytetit. Në lindje të teatrit, jo shumë larg tij gjendet baptisteri i Butrintit. Ky është ndërtuar në shekullin IV. Në mes të tij është salla e pagëzimit e rrethuar nga një numër kolonash që mbahen ende në këmbë. Dyshemeja është e shtruar me mozaik që paraqet 69 medaljone me simbole kishtare dhe skena të njohura, ekuaristinë dhe pagëzimin. Përveç vlerave arkeologjike, Butrinti ofron një kompleks të tërë natyror dhe gjeosistem te veçantë. Qyteti antik ndodhet mes një gjelbërimi natyral, buzë liqenit karakteristik, vetëm 3 km larg detit, me të cilin lidhet nëpërmjet kanalit të Vivarit.
Ksamili është një qendër e re banimi. Në Ksamil dhe në 3 ishujt e vegjël përballë tij ka mjaft plazhe të mrekullueshëm, të cilët ju mund t’i zbuloni deri në orët e vona të pasdites, duke udhëtuar me varkat e shumta që e ofrojnë këtë shërbim. Janë ishuj të vegjël shkëmborë pranë njëri-tjetrit, të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar mjaft mirë të zhvilluar. Në ujin detar gjallon një faunë e florë mjaft e pasur të mbrojtura nga konventat Ndërkombëtare, ku Shqipëria aderon. Përbën një zonë unikale dhe mjaft përfaqësuese e bregdetit shkëmbor jonik shqiptar. Monumenti në fjalë është në gjendje të mirë. Ai ka vlera turistike, shkencore, biologjike. Për të shkuar tek ky monument merret rruga automobilistike Sarandë-Ksamil, Ksamil-Ishuj me lundrim.