Menjëherë pasi të lini qytetin e Vlorës, në pjesën jugore të tij do të shfaqet para jush zona bregdetare e Ujit të Ftohtë. Bregdeti këtu fillon e bëhet shkëmbor dhe mali me detin bëhen një. Përgjatë kësaj zone, në një gjatësi prej rreth 2 km deri në Jonufër, dalin afro 40 burime nëntokësore. Këto janë ujëra tipike karstike, që formohen në brendësi të territorit apo në tabanin e detit dhe dalin përgjatë gjithë gjatësisë se bregdetit, duke filluar me atë të Ujit të Ftohtë në hyrje të tunelit me të njëjtin emër e që vazhdojnë deri në Jonufër. Duke shfrytëzuar këto kushte shumë të përshtatshme natyrore, kjo zonë ka qenë gjithmonë zona më e parapëlqyer për të pushuar në Vlorë dhe krahas vilave e shtëpive të dikurshme të pushimit janë ndërtuar këtu vitet e fundit shumë lokale, restorante e hotele në shërbim të turizmit. Pasi të keni kaluar Jonufrën, një zonë e gjerë e mbjellë me ullinj dhe agrume, bregdeti fillon përsëri të zgjerohet, dhe para jush do të shfaqet zona e Radhimës dhe e Orikumit. Uji i pastër, plazhet zallore, me ngjyrën e tyre karakteristike të bardhë, peizazhi natyror shumë i bukur buzë detit me malet që ngrihen mbi kokë, qetësia larg qytetit etj, janë motive që kanë tërhequr shumë pushues në këtë zonë. Mund të thuhet që ajo është sot zona më e pëlqyeshme dhe më e frekuentuar për të kaluar pushimet në Gjirin e Vlorës. Në fund të rrugës do të mbërrini në qytetin e Orikumit. Ky qytet ka një histori të gjatë, por dy gjëra do t’u bëjnë përshtypje: bumi i madh i ndërtimeve turistike dhe disa godina të shpërndara nëpër rrugicat e qytetit që duken si të një kohe tjetër. Janë shtëpitë e drunjta të oficerëve sovjetikë që jetuan këtu deri në 1961, kohën në të cilën Enver Hoxha hyri në kontradikta të thella me Hrushovin. Pikërisht këtu, në bazën e Pashalimanit, ishte pika më e avancuar në Perëndim e Traktatit të Varshavës. Nëse doni të dëgjoni histori dramatike të Luftës së Ftohtë, atëherë kërkoni ndonjë nga ushtarakët e moshuar që kanë mbetur ende në qytet. Vetëm pak metra larg nga qyteti është një plazh i mrekullueshëm. Ia vlen të freskoheni një copë herë në ujin e mrekullueshëm blu.