Itinerari që po ju propozojmë tani është njëri ndër më interesantët jo vetëm në Sarandë, por për krejt Shqipërinë. Ky është udhëtimi përgjatë rrugës që lidh Vlorën me Sarandën në drejtim të Veriut. Pasi të keni lënë pas lagjet periferike, gjithnjë e më tepër në zgjerim të Sarandës stacioni juaj i parë do të jetë Gjiri i Kakomesë. Përfaqëson një gji të vogël detar, por mjaft piktoresk. Në këtë gji po bëhen përpjekje nga investitorë të huaj e vendas për të ngritur një fshat turistik për turistë cilësorë të Evropës Perëndimore dhe Veriore. Nëse jeni në Gjirin e Kakomesë mos harroni të vizitoni edhe dy pika të rëndësishme turistike.Këto janë fshatrat Shën Vasil dhe Nivicë. Për të shkuar drejt tyre duhet të ktheheni nëpër të njëjtën rrugë që përshkuat më parë. Në fakt fshati ka ekzistuar falë një manastiri që është ngritur në kujtim të shenjtit në shekullin XVII. Jo shumë larg nga fshati ndodhet plazhi i bukur i Krorëzës.
Nivica është një fshat jo bregdetar, fare afër Shën Vasilit, është fshat i njohur që përmendet që herët në dokumente historike. Veçanërisht ka qenë i famshëm për ushtarët që i dërgonte në ushtritë e huaja që nga Venediku dhe deri në Spanjë. Nëse vazhdoni përgjatë rrugës kryesore brenda më pak se gjysmë ore do të ndodheni në një fshat tjetër të njohur, në Lukovë. Lukova duket se ka qenë një vendbanim shumë i hershëm. Arkeologët kanë gjetur në vendin që quhet Kodra e Gashnjarit rrënoja të një fortifikimi të kohës së bronzit. Gjurmë të një kalaje të vjetër që besohet të jetë e shekullit III-II-të para Krishtit janë gjetur edhe në vendin që fshatarët e quajnë “Qafa e Pazarit”. Megjithëse sot të dëmtuara, ju mund të ndaleni në atë që quhet “Ballkoni i Bregdetit” për të parë dhe përfytyruar punën e madhe që u bë në Lukovë dhe rreth saj.

Pas 15 kilometrash do të arrini në një fshat tjetër me bukuri të rrallë, në Borsh. Rruga që do të përshkoni është një atraksion turistik më vete, gjatë të gjithë kohës do të keni në krahun tuaj të majtë siluetën e Korfuzit të rrethuar nga ujërat blu të Jonit. Borshi është një nga fshatrat më të mëdhenj të kësaj zone. Shumë interesant është të shkoni në Borshin e vjetër, rrënojat e të cilit shtrihen mbi një majë shkëmbore afër 300 metra të lartë. Ajo që do t’ju bëjë përshtypje që poshtë nga rruga kryesore është një kështjellë e vjetër. Kjo është kështjella e Sopotit, të cilën vendasit e quajnë edhe “Kalaja e Grekut”. Është një vend shumë strategjik, nga kjo kala mund të shihet Joni deri shumë larg në horizont. Në qendër të Borshit do t’ju tërheqë vëmendjen edhe një burim me ujëra të bollshme që zbret nga mali. Nëse zbrisni poshtë përmes shtëpive të fshatarëve drejt detit, do të arrini në mes të rrugës dhe detit, në një hidrocentral të vogël që furnizon me energji të gjithë zonën. Do të kini rast të shihni me sytë tuaj se si energjia e ujërave, me të cilat ishit freskuar ca më lart, tani shndërrohet në energji elektrike. Poshtë në fushë, pasi të keni kaluar një plantacion të gjerë me ullinj e agrume, do të mbërrini në zhavorrin e bardhë të plazhit të Borshit, i gjatë disa kilometra. Tani mos mendoni më për gjë tjetër. Kridhuni në Jon dhe gëzoni këtë parajsë të mbetur ende të paprekur.