1-      Kalaja është objekti që bie në sy menjëherë, sapo mbërrin në qendër të qytetit. Kjo kështjellë e qytetit të lashtë Skampi, u ndërtua në kohën e perandorit romak Dioklecian (me origjinë ilire 284-305 pas Krishtit) dhe shërbente si qendër e një legjioni romak. Kështjella ka formën e një katërkëndëshi kënddrejtë me përmasa 308 x 348 m. Ajo rrethohej nga një kanal 4 m i thellë që e merrte ujin nga përroi i Zarranikës. Ka katër hyrje që mbrohen nga kulla. Ka gjithsej 26 kulla. Kullat e qosheve kanë formë freskoreje (12 m të larta), kullat e hyrjeve kanë formë katërkëndëshi, 20 të tjerat kanë formën e shkronjës U. Kullat dalin jashtë mureve plotësisht, vetëm 4 prej tyre që mbrojnë hyrjet e rrugës perëndim-lindje dalin përgjysmë jashtë murit rrethues. Të gjitha kullat dalin 8-9 m larg murit dhe 40-50 m larg nga njëra-tjetra.Në muret rrethuese dallohen qartë të tria periudhat: e vonë romake, e hershme bizantine dhe ajo osmane. Kalaja e Elbasanit është një nga më interesantet e tipit fushor në gjithë Ballkanin dhe e lidh me të rruga Egnatia që e përshkon mes për mes nga perëndimi në lindje. Brenda kalasë gjendet një lagje e banuar fort simpatike me rrugicat e vjetra dhe me shtëpitë e ruajtura mirë.