Kështjella e Lezhës konsiderohet më e madhja në Shqipërinë Qendrore, si dhe simbol i arkitekturës ushtarake të vonë romake, bizantine e osmane. Ajo ndodhet mbi një kodër rreth 305 metra të lartë dhe rreth 80 metra prapa kishës françeskane. Porta e hyrjes ndodhet në anën jugperëndimore të fortifikimit dhe është pjesë e kullës që ruante anën e poshtme të qytetit të lashtë.

Vlen të përmendet se teknikat e ndërtimit janë të ndërlikuara, pasi janë përdorur blloqe të mëdha guri, të prera me preçision të lartë e të latuara mirë. Në brendësi të kështjellës, sapo hyn nga porta, do të shihni rrënojat e ndërtesave osmane, një xhami garnizoni, si dhe një masiv gëlqeror në qendër. Sheshi rreth këtij masivi është afërsisht 250 metra katrorë, ndërsa muret rrethuese që i përkasin periudhës bizantine janë dëmtuar nga osmanët, të cilët i përdorën gurët për ndërtime të tjera. Duke kaluar nga ana e murit juglindor gjendet një kullë që përbëhet nga një hark romak, ndërsa në pjesën jugore të murit gjendet vetëm një bazë kulle, mbi të cilën janë bërë rindërtime të mëvonshme. Poshtë në fushë, në krah të memorialit të Skënderbeut do të shihni njërën prej portave të poshtme të periudhës antike (shekulli IV para Krishtit), e cila është gërmuar dhe i është dhënë pamja që ka pasur dikur.