Është një nga atraksionet turistike më interesante të krejt zonës. Për të shkuar atje do të merrni rrugën që ju çon në Kakavijë. Thuajse në mes të rrugës që lidhet me pikën e kalimit kufitar me Greqinë, do të ktheni në drejtim të burimeve të Glinës, në krah të fshatit Nepravishtë. Libohova është e vendosur në rrëzë të Malit të Buretos. Ka gjetje arkeologjike që e bëjnë atë një vendbanim shumë të lashtë, porse kulmin e zhvillimit duket se e ka pasur nga shekulli XVII e pas. Qendra e qytetit është shumë piktoreske, e zbukuruar nga një rrap 220 vjeçar që mbulon një sipërfaqe shumë të madhe me hijen e tij të rëndë. Eshtë  me lartësi 32 metra, diametër 220 centimetra,  perimetër të trungut 6.9 metra, ndërsa perimetri i kurorës shkon në 80 metra. Për fat, rrapi ruhet ende në gjendje shumë të mirë. Rrapi do t’ju pëlqejë edhe më tepër kur të vini re një fenomen të çuditshëm, ndërfutjen e degëve të reja te ato të vjetrat, njësoj si heshta që duan të shpojnë njëra-tjerën. Burimi me ujë shumë të freskët, nën kurorën e rrapit, e bën edhe më tërheqës dhe çlodhës mjedisin për çdo vizitor.