Llogaraja është Park Kombëtar dhe përfaqëson një nga vendet më të bukura të Shqipërisë. Me sipërfaqen e saj prej 1020 ha, Llogaraja është e mbuluar me gjelbërim të përhershëm. Ajo konsiderohet si një vend klasik i vendosjes së ekuilibrit biologjik midis botës bimore dhe asaj shtazore. Në brendësi të pyjeve të saj gjenden lëndina të bukura, burime të shumta natyrore dhe lloje të ndryshme kafshësh dhe shpendësh. Pikërisht në njërën nga pjesët më të bukura, në zemër të Llogarasë, është ngritur qendra e saj turistike.
Për të shkuar në plazhin e Palasës mos vazhdoni rrugën kryesore, por në urën e parë mbi përrua merrni djathtas në një rrugë dytësore derisa të arrini në plazh. Rruga nuk është e shtruar, por është e kalueshme edhe për makinat e ulëta. Plazhet kryesore të Palasës janë Megalihora dhe Jaliskari. Vetë fshati është i rrethuar nga një kurorë gjigante ullinjsh dhe agrumesh që i jep një imazh të mrekullueshëm.

Poshtë fshatit mund të ecni edhe më këmbë, për pak minuta ndodhet plazhi i Dhërmiut, i cili është ndër më të mëdhenjtë e bregdetit të Jonit. Gjatësia dhe gjerësia, uji dhe rëra e pastër, qetësia dhe gjelbërimi, të gjitha këto krijojnë së bashku kushte ideale për banjë dielli dhe kalimin e pushimeve. Nga Dhërmiu një numër varkash private mund t’ju ofrojnë një kënaqësi tjetër, atë të të vizituarit të Shpellës së Piratëve.
Ca më poshtë do të shihni gjirin e Gjipesë, një plazh i mrekullueshëm me gjerësi afër 20 metra dhe gjatësi 800 metra. Një rast unikal për të shijuar natyrën e virgjër. Nëse vazhdoni ca më tutje, në rrugën kryesore, afër 6 kilometra, një tabelë do t’u sinjalizojë se këtu mund të ktheheni në një plazh tjetër të njohur, në atë të Jalit. Ky plazh është nga më të frekuentuarit këto kohët e fundit. Në të shërben një kompleks turistik i pajisur me të gjithë shërbimet e duhura për pushuesit.

Ca më tej, drejt jugut do të mbërrini në Himarë. Kjo është tradicionalisht qendra e krejt krahinës së bregdetit të Jonit. Plazhin e parë në Himarë do ta hasni direkt nën këmbët e kalasë. Ai quhet plazhi i Livadhit. Po në këtë zonë do të mund të shihni edhe manastirin e Athalit. Një vizitë në shpellën e Kardinit do t’ju kujtojë me siguri Homerin dhe aventurat e Odisesë. Himara nuk është gjë tjetër veçse Kimera e përmendur në eposin e lashtë. Më poshtë, drejt jugut, do të hasni në gadishullin e Spillesë, një vend i mrekullueshëm për plazh. Vendi është i mbushur me befasi.

Njëra prej tyre është gjiri i Llamanit, një gji i vogël që duket që nga rruga. Me siguri që kureshtja do t’u shtyjë të zbrisni poshtë drejt tij. Më pas vjen një perlë tjetër, gjiri i Porto Palermos. Ky gji ka qenë një nga bazat ushtarake më të rëndësishme gjatë kohës së komunizmit.