Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar 1996. Ky park ka një sipërfaqe prej  8000 hektarësh. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Ndodhet 25-30 kilometra m në veriperëndim të qytetit Bajram Curri, qendra e rrethit të Tropojës. Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore strikt të mbrojtur “Lumi i Gashit”. Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragoti-Valbonë e Çerem. Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte. Ka vlera të larta shkencore, turistike, shoqërore rekreative, të cilat pasurohen me një biodiversitet me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare. Një kuriozitet këtu është kanioni i Shoshanit disa metra i lartë. Këtu lumi i Valbonës ngushtohet dhe duket sikur pret shkëmbin si me thikë. Valbona buron nga shpatet e malit të Jazercës, më e larta e Alpeve Shqiptare (2693.5 metra). Valbona është lumi më i madh i Alpeve që derdhet në Drin. Zbritjet e lumit nga Bjeshkët e Raganit e të Çeremit vijnë plot zhurmë e shkumëzim. Ai gjen qetësi në fshatin Valbonë për të ecur plot gjallëri drejt Dragobisë. Deri 1 metër thellësi uji është i pastër, i kthjellët e mjaft i tejdukshëm. Në natyrën e larmishme të këtij terreni ju mund të praktikoni të gjitha llojet e sporteve, të bëni turizëm e të argëtoheni. Këtu do gjeni dëborën e përjetëshme edhe gjatë verës, do admironi ujvarat magjepëse.