Përfshin një sipërfaqe prej 3076 hektarësh dhe është nga zonat natyrore rreptësisht të mbrojtura në të gjithë vendin tonë. Ka vlera të larta biodiversiteti dhe përfaqëson ekosisteme të rëndësishme dhe unikale për gjithë Shqipërinë. Kjo zonë ofron habitate të rëndësishme për të gjitha llojet e gjitarëve të mëdhej: ariut, ujkut, rrëqebullit, kaprollit, dhisë së egër dhe derrit të egër.

Këtu ndodhen masive të mëdha ahu, bredhi, dhe lloje të ndryshme pishash, kullota alpine, përrej malorë dhe liqene akullnajorë. Të gjitha këto peisazhe me vlera të larta shkencore, edukative dhe estetike zbukurohen edhe më shumë nga prania këtu e gjelit të egër dhe shqiponjës si dhe vidrës (Lutra lutra), që lundron në ujërat e kthjellta dhe të pastërta të lumit të Gashit.