Mesopotami ndodhet në krah të rrugës që lidh Sarandën me Gjirokastrën. Në të mund të shkohet edhe nga ana e Delvinës, nga e cila e ndajnë vetëm katër kilometra. Ky është një fshat shumë i gjelbër, i vendosur në krah të lumit Bistrica. Monumenti më i rëndësishëm në Mesopotam është Manastiri i Shën Kollit i shekullit XI. Siluetën e mureve dhe të kishës së tij do ta shihni vetëm pak qindra metra larg rrugës kryesore.

Pasi të keni lënë pas hidrocentralin e Bistricës, ndiqni rrugën majtas, e cila pas dy kilometrash do t’ju çojë në një nga vendet më të bukura të Shqipërisë, në atë që quhet “Syri i Kaltër”. Është vendi i vetëm ku është takuar deri më sot një lloj i ri për Shqipërinë, lakuriqi i natës (Myotis bechsteinii). Ka vlera turistike, shkencore, estetike, dhe çlodhëse. Ky është vendburimi i lumit Bistrica, ka një burim kryesor me diametër prej gjashtë metrash me ujë të kthjellët që nuk shteron kurrë dhe anash tij ka edhe një numër shumë të madh burimesh. Është shpallur “Pasuri e Rrallë Natyrore” dhe mbrohet nga shteti shqiptar. Burimi është i rrethuar nga pyje të virgjër.