Muzeu i Pavarësisë është ndërtuar në Skelë që në vitin 1936, pikërisht në godinën ku më 28 nëntor 1912 Shqipëria u shpall e pavarur nëpërmjet ngritjes së flamurit kombëtar dhe ku në vitet 1912–1914 kreu veprimtarinë e saj Qeveria e Përkohshme e Vlorës. Ky muze ka qenë shtëpia e Eqerem bej Vlorës. Muzeu ka tetë ambiente, në të cilat janë vendosur fotografi, objekte e vepra të ndryshme arti, në të cilat pasqyrohen përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Veçanërisht interesante janë ambjentet ku punoi kryeministri i parë shqiptar, Ismail Qemali, salla e mbledhjeve të qeverisë së tij, dorëshkrimet e lëna, flamuri, aparati fotografik i vitit 1912, armët etj. Çdo gjë në këtë godinë është e vjetër sa dhe vetë historia e saj 150-vjeçare.