Që të shkoni në Përmet duhet të merrni sërish rrugën e veriut drejt Tepelenës, porse duhet të ktheni djathtas dhe të kaloni lumin mbi një urë goxha të madhe. Ia vlen që të shijoni një nga perlat e natyrës shqiptare, luginën e Vjosës. Që të mbërrini këtu duhet më parë të kaloni Grykën e Këlcyrës, një kanion i thellë i mbuluar nga gjelbërimi. Pas kësaj gryke vjen vetë qyteti i Këlcyrës, një qytet i vogël, por me plot histori dhe i njohur për prodhimin e verës dhe përpunimin e frutave. Eshtë i njohur në të gjithë Shqipërinë për mikpritjen, gatimin e shkëlqyer dhe pijet shumë të mira. Drekën, anës Vjosës dhe luleve do ta mbani mend shumë gjatë. Gjëja e parë që do t’ju bjerë në sy sapo të mbërrini në Përmet janë lulet. Një lulishte e mirëmbajtur me shumë kujdes është shenja e parë e butësisë së këtij qyteti. Megjithatë, nëse keni nge dhe mundësi për të lëvizur, atëherë pyesni vendasit për Kishën e Shën Mërisë së Kosinës të shekullit XII, apo për Kishën e Leusës të shekullit XVIII. Vetëm se duhet ta përmbani veten dhe të mos harroni se, veç këtyre, Përmeti ka edhe 15 kisha të tjera, si dhe 4 xhami. Me siguri një ditë nuk do t’ju dalë për t’i parë të gjitha.