Edhe pse Shqipëria pak kohë më parë ishte për shumicën e të huajve një destinacion turistik pak ose aspak njohur, vendi momentalisht është kthyer në një nga destinacionet kryesore të pushimeve për turistët nga e gjithë bota që duan ta njohin dhe eksplorojnë atë.

Gjatë vitit të kaluar turizmi në Shqipëri u rrit me 42 %, një rritje e konsiderueshme, ndërkohë që “Lonely Planet” e ka cilësuar kohët e fundit Shqipërinë si një nga destinacionet që duhet vizituar gjatë 2011-ës.

Shqipëria është me të vërtetë një vend i bukur me natyrë të virgjër dhe që ofron mundësi të shumta për të gjithë llojet e udhëtarëve. Kështu nëse jeni tip që iu pëlqen plazhi dhe noti në ujërat e kristalta duhet patjetër të vizitoni Rivierën Shqiptare. Nga ana tjetër nëse i përkisni grupit të turistëve, që preferojnë ecjet në mal duhet të vizitoni Alpet në veri të Shqipërisë.

Turistët e huaj në kërkim të komfortit dhe luksit që mund të ofrojë një qytet i madh duhet t’i drejtohen kryeqytetit ku jeta e gjallë e natës mund të krahasohet shumë mirë me ato të kryeqyteteve të tjera evropiane.

Pavarësisht nga zhvillimi i madh i sektorit të turizmit në Shqipëri, vendi ende pengohet nga problemet e së kaluarës. Problemi kryesor me të cilin përballet turizmi në Shqipëri është mungesa e organizimit në shumë aspekte. Po ashtu infrastruktura rrugore lë ende për të dëshiruar. Pavarësisht ndërtimit të rrugëve të reja dhe rikonstruksionit të atyre ekzistuese ende nëpër Shqipëri hasesh me rrugë të këqija. Problemet me pronësinë dhe ndërtimet pa leje janë dy probleme të tjera që duhen marrë në konsideratë nga pushteti qendror apo ai lokal. Pjesa më e madhe e këtyre problemeve janë luftuar shumë me anë të financimeve që vijnë nga pusheti lokal apo nga burime private. Megjithatë shumica e këtyre problemeve nuk ekzistojnë në kryeqytet, ku gjërat vitet e fundit janë në mënyrë të konsiderueshme më mirë të organizuara. Aktualisht, në Tiranë turistët mund të akomodohen në shumë hotele që ofrojnë shërbime me standarde të larta të krahasueshme me ato të qyteteve të mëdha Evropiane.

Përvec kësaj turistët e huaj nëse vizitojnë Shqipërinë përfitojnë edhe nga kursi i këmbimit valutor duke qëndruar në një nga hotelet më të mira të kryeqytetit me një cmim shumë të ulët (cmimi gjithmonë i lidhur me shërbimet e ofrura).

Pavarësisht nëse vizitojnë Tiranën apo ndonjë vend tjetër në Shqipëri shumë prej turistëve largohen duke marrë me vete kujtime të paharrueshme.