Qyteti i Tepelenës, ndodhet 40 km në Veri të Gjirokastrës. Në fillim do të kaloni liqenin e njohur të Viroit, 3 km në veri të Gjirokastrës në anë të rrugës. Liqeni i Viroit është i vogël, por shumë piktoresk.. Fillimisht ka qenë një burim karstik, i cili u shfrytëzua për krijimin e këtij rezervuari artificial. Ndodhet mes disa kodrinave dhe rrjedhës së lumit Drino dhe është i rrethuar nga gjelbërimi. Pas pak km, lugina do të nisë të zgjerohet dhe ju do të keni mundësi të shikoni një natyrë të pasur që shoqëron të gjithë rrjedhën e lumit. Ujrat e Drinosit bashkohen me Vjosën që vjen nga lindja duke krijuar një hapsirë të gjerë shumë interesante. Do të kaloni vendin e quajtur “Uji i Ftohtë” i Tepelenës. Eshtë një pyll rrepesh i rrethuar nga të gjitha anët nga burime që zbresin nga malet rrotull. Pas kësaj vjen qyteti i Tepelenës. Monumenti më i rëndësishëm në Tepelenë është kalaja e kohës së Ali Pashës. Ajo u ngrit rreth e rrotull sarajeve që Pashai ndërtoi në 1789 dhe punimet përfunduan në vitin 1819. Eshtë në formë katrore dhe zë një sipërfaqe prej 4 hektarësh e gjysëm. Ka dy hyrje dhe dy kulla që mbahen ende në këmbë. Kalaja vazhdon të jetë ende e banuar.