Ajo do t’ju bjerë menjëherë në sy sapo të mbërrini në sheshin e vogël, në krah të monumentit të “Mujo Ulqinakut”, thuajse përballë hyrjes kryesore të portit. Është një ndërtim i ngritur mbase mbi një kullë më të vjetër. Koha e ndërtimit dhe teknika e përdorur është tipike veneciane e shekullit XV, kohë në të cilën venedikasit qeverisnin qytetin. Diametri i saj është 16 metra dhe lartësia 9.10 metra.

Ajo përbëhet nga një kat i vetëm, i cili është i pajisur me pesë frengji topash. Një shkallare ju çon lart në tarracën me bedena. Këtu është ndërtuar një lokal i këndshëm nga ku mund të sodisni fare qetësisht detin dhe të gjithë atmosferën e vjetër që ju rrethon.