1-      Velipoja, është një nga plazhet dhe pikat turistike më të rëndësishme të Shkodrës, për të cilën duhet të përshkoni vetëm 35 kilometra. Eshtë një qendër turistike mjaft e këndshme, me peizazh të larmishëm, ku ndërthuren hijshëm deti, plazhi, lumi, delta me ishuj, kodra, fusha, laguna, pylli, ligatinat; vendi më i përshtatshëm për të vrojtuar zogjtë e Adriatikut Lindor në dunat e rërës dhe pellgjet e cekta të ujit; trevë me popullim dhe histori të hershme, tradita të pasura etno-folklorike, me fermerë dhe peshkatarë të zot, mikpritës e të njohur në krejt Shqipërinë për humorin e tyre të hollë.